





BIOS sh.p.k.
Informacion sensibilizues i javës
INFORMACION SENSIBILIZUES I JAVËS
DIABETI
Diabeti është një sëmundje kronike që karakterizohet nga niveli i lartë i glukozit (GLICEMIA) në gjak (Hiperglicemia) i shkaktuar nga sasia dhe funksionimi i çrregulluar i insulinës. Insulina është hormoni i prodhuar nga pankreasi, që i jep mundësi glukozit të hyjë në qelizat dhe të përdoret më pas si burim energjitik. Kur ky mekanizëm prishet, glukozi grumbullohet në gjakun qarkullues.
VLERAT NORMALE TË GLICEMICË : 70-100 mg/dl
VLERAT KUFITARE TË GLICEMISË : 100-125 mg/dl
Diabeti i tipit 1
Përfshin rreth 10% të personave me diabet dhe në përgjithësi, lind në fëmijëri apo në adoleshencë. Në diabetin e tipit 1, për shkak të shkatërrimit të qelizave β, të cilat e prodhojnë këtë hormon, pankreasi nuk prodhon insulinë. Për rrjedhim, është e nevojëshme që ajo të injektohet çdo ditë, gjatë gjithë jetës. Sidoqoftë, shpejtësia e shkatërrimit të qelizave β është tepër e ndryshueshme ndaj edhe shfaqja e sëmundjes mund të ndodhë mjaft shpejt në disa persona, zakonisht tek fëmijët dhe adoleshentët dhe më ngadalë tek të rriturit (në këto raste të rralla flitet për një formë të veçantë, të quajtur LADA: Late Autimone Diabetes in Adults – Diabeti Autoimun i Vonuar tek të Rriturit).
Shkaku i diabetit të tipit 1 është i panjohur, por karakteristikë e tij është prania në gjak e antitrupave të drejtuar kundër antigenëve të pranishëm në nivelin e qelizave që prodhojnë insulinë, të quajtur ICA, GAD, IA-2, IA-2β. Ky dëmtim që sistemi imunitar shkakton ndaj qelizave që prodhojnë insulinë, mund të jetë i lidhur me faktorë mjedisorë (ndër të cilët përmendim ata diedetikë) ose me faktorë gjenetikë, që dallohen për një prirje të përgjithëshme për të reaguar kundër dukurive të jashtëme, ndër të cilët viruset dhe bakteriet. Kjo hipotezë e fundit, bazohet në studime të zhvilluara në binjakët monozigotë (identikë) të cilët kanë dhënë mundësi që të tregohet se rreziku që këta të zhvillojnë diabetin e tipit 1, është 30-40% ndërkohë që ky rrezik zbret në 5-10% në vëllezërit jo binjakë dhe në 2-5% tek fëmijët. Në këtë mënyrë, është e mundëshme që të përcillet një “prirje ndaj një sëmundje” përmes transmetimit të geneve që lidhen me përgjigjen imunitare dhe që gjatë një përgjigje banale të sistemit imunitar ndaj agjentëve të zakonëshëm infektivë, shkaktojnë një reaksion edhe kundrejt qelizave β të pankreasit, nëpërmjet prodhimit të antitrupave të drejtuar kundër tyre (auto antitrupa). Kjo përgjigje e çrregulluar imunitare, shkakton një shkatërrim progresiv të qelizave β, çka bën që insulina të mos prodhohet, duke shpërthyer në këtë mënyrë sëmundjen diabetike.
Për këtë arsye, diabeti i tipit 1 klasifikohet në rradhët e sëmundjeve të ashtuquajtura “autoimune”, d.m.th. të shkaktuara nga një reaksion imunitar i drejtuar kundër vetë organizmit. Ndër agjentët e mundëshëm që shkaktojnë përgjigjen imunitare, rradhiten virusi i parotitit (të ashtuquajturat “shyta”), Citomegalovirusi, virusi i Coxackie B, virusi i Encefalomiokarditit. Sikundër e thamë, janë duke u studiuar edhe agjentë të tjerë të mudëshëm jo infektivë, ndër të cilët edhe substanca që janë të pranishme në qumësht.
Diabeti i tipit 2
Është forma më e përhapur e diabetit dhe përfaqëson rreth 90% të rasteve të kësaj sëmundje. Shkaku është ende i panjohur edhe pse është e sigurtë që pankreasi është në gjendje të prodhojë insulinë, por qelizat e organizmit nuk arrijnë ta shfrytëzojnë atë më pas. Në përgjithësi, sëmundja shfaqet pas moshës 30-40 vejçare dhe janë arritur të gjenden faktorë të shumtë që lidhen me lindjen e saj. Ndër ta: trashëgimia për diabetin, ushtrimet e pakta fizike, mbipesha si dhe tipare të caktuara etnike. Përsa i përket rrethit trashëgimor, rreth 40% e personave diabetikë të tipit 2 ka të afërm të rangut të parë (prindër, vëllezër) të prekur nga vetë kjo sëmundje, ndërsa në binjakët monozigotë mundësia për t’u prekur nga kjo sëmundje është pothuaj 100%, duke na bërë të supozojmë për një komponente të fuqishme trashëgimtare për këtë lloj diabeti. Edhe për diabetin e tipit 2 ekzistojnë forma të rralla të quajtura MODY (Maturity Onset Diabetes of the Young) në të cilat diabeti i tipit 2 shfaqet në moshë të re, duke u arritur të identifikohen difekte të rrallë gjenetikë në nivelin e mekanizmave ndërqelizorë të veprimit të insulinës.
Në përgjithësi, për shumë vjet, diabeti i tipit 2 nuk arrihet të diagnostikohet, duke qenë se hiperglicemia zhvillohet gradualisht dhe fillimisht, nuk arrin një shkallë të tillë të rëndë sa të shfaqë shenjat klasike të diabetit. Zakonisht, diagnostikimi ndodh rastësisht ose në momentin e një gjendje stresi fizik, sikundër janë infeksionet apo ndërhyrjet kirurgjikale.
Rreziku i zhvillimit të kësaj sëmundje rritet me kalimin e moshës, me praninë e obezitetit dhe me mungesën e veprimtarisë fizike: ky konstatim lejon të parashikohen strategjitë paraprake “primare”, d.m.th. ndërhyrjet që sigurojnë parandalimin e lindjes së sëmundjes dhe që kanë si synim kryesor respektimin e një stili jetese të përshtatëshëm, që përfshin aspektet e ushqyerjes dhe të ushtrimit fizik.
Diabeti që shfaqet gjatë shtatëzanisë
Përkufizohet si diabet i shtatëzanisë çdo lloj gjendje në të cilën matet një nivel i rritur i glukozit në gjakun qarkullues për herë të parë në shtatëzani. Kjo gjendje haset në rreth 4% të shtatëzanive. Ky lloj përcaktimi rrjedh nga lloji i trajtimit që përdoret, si në rastin kur është vetëm diedetik, apo edhe kur nevojitet insulina, çka sjell për rrjedhim një numër gjithnjë e më të madh kontrollesh për gratë shtatëzana dhe për fetusin.
Shenjat dhe simptomat
Simptomatologjia e lindjes së sëmundjes varet nga tipi i diabetit. Zakonisht, në rastin e diabetit të tipit 1, marrim pjesë në një shfaqje akute, shpesh të lidhur me një episod febril, me etje (polidipsia), sasi të rritur urinimi (poliuria), ndjenjë lodhje (astenia), rënie në peshë, lëkurë e thatë, shpeshtimi i rasteve të infeksionit.
Përkundrazi, në diabetin e tipit 2 simptomatologjia është më e zbehtë dhe zakonisht, nuk lejon një diagnozë të shpejtë, çka bën që shpesh glicemia të jetë e lartë, por pa shenjat klinike të diabetit të tipit 1.
Diagnoza:
Kriteret për diagnozën e diabetit janë:
-
Simptoma të diabetit (poliuri, polidipsi, rënie e pashpjegueshme në peshë) të shoqëruara me një vlerë ≥ 200 mg/dl të glicemisë së rastësishme, d.m.th. që nuk varet nga moment ii ditës.
ose
-
Glicemi ≥ 126 mg/dl. Gjendja esëll përcaktohet si mungesa e marrjes së ushqimit për të paktën tetë orë.
ose
-
Glicemi ≥ 200 mg/dl gjatë një kurbe me ngarkesë (OGTT = Test i Ngarkesës me Glukoz nga Goja). Testi duhet të kryhet duke dhënë 75 gram glukoz nga goja.
Veç kësaj, ekzistojnë edhe situata klinike në të cilat glicemia nuk i kalon nivelet e vendosura për përcaktimin e diabetit, por që sidoqoftë, nuk përbëjnë nivele normaliteti. Në këto raste, flitet për Glicemi të Çrregulluar në gjendje Esëll (IFG) kur vlerat e glicemisë përfshihen nga 100-125 mg/dl dhe për Tolerancë të Çrregulluar ndaj Glukozit (IGT) kur glicemia dy orë pas ngarkesës me glukoz luhatet nga 140-200 mg/dl. Bëhet fjalë për situata të ashtuquajtura “para-diabetike”, që tregojnë për një rrezik të rritur për të zhvilluar sëmundjen diabetike edhe pse nuk përbëjnë një situatë për sëmundje. Shpesh, janë të shoqëruara me një mbipeshë, dsilipidemi dhe/ose hipertension së bashku me një rrezik më të madh për episode kardiovaskulare.
Ndërlikimet e diabetit
Diabeti mund të shkaktojë ndërlikime akute apo dhe kronike. Ndërlikimet akute janë më të shpeshta në diabetin e tipit 1 dhe janë të lidhura me mungesën pothuaj tërësore të insulinës. Në këto raste, pacienti mund të shkojë edhe drejt një kome ketoacidoze, të shkaktuar nga grumbullimi i produkteve të metabolizmit të çrregulluar, ketone të cilat shkaktojnë humbjen e vetë dijes, dis hidratimin dhe çrregullime të rënda në gjak. Në diabetin e tipit 2 ndërlikimet akute janë më të rralla, ndërkohë që janë më të shpeshta ndërlikimet kronike që lidhen me organe dhe inde të ndryshme si sytë, veshkat, zemra, enët e gjakut dhe nervat periferikë.
-
Retinopatia diabetike: është një dëmtim i enëve të vogla të gjakut të cilat furnizojnë me gjak retinën, i shoqëruar me humbjen e aftësive shikuese. Veç kësaj, personat diabetikë kanë mundësi më të mëdha për të zhvilluar sëmundje okulare si glaukoma dhe katarakti (perdja).
-
Nefropatia diabetike_: bëhet fjalë për një ulje progresive të funksionit të filtrit të veshkave e cila nëse nuk trajtohet, mund të çojë në insufiçencë renale deri në nevojën për dializë dhe/apo transplant të veshkave.
-
Sëmundje kardiovaskulare: rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë në personat me diabet se sa në personat e tjerë, duke shkaktuar një vdekshmëri 50% më të lartë tek diabetikët në vendet e industrializuara. Kjo bën që rreziku kardiovaskular në pacientët diabetikë të konsiderohet i barabartë me atë të një pacienti që ka kaluar një episod të tillë.
-
Neuropatia diabetike: është një nga ndërlikimet më të shpeshta dhe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shfaqet në nivele të ndryshme në 50% të diabetikëve. Mund të shkaktojë humbjen e ndjeshmërisë, dhimbje të niveleve të ndryshme dhe dëmtime të gjymtyrëve, që në rastet më të rënda mund të kërkojë edhe amputimin-prerjen e tyre. Mund të sjellë keqfunksionime të zemrës, të syve, të stomakut dhe përbën një nga shkaqet kryesore të impotencës mashkullore.
-
Këmba diabetike: modifikimet e strukturës së enëve të gjakut dhe të nervave mund të shkaktojnë plagë dhe probleme në nivelin e gjymtyrëve të poshtëme, veçanërisht të këmbës, për shkak të peshës që ushtrohet mbi të. Kjo mund të bëjë të nevojëshme amputimin e gjymtyrëve dhe nga pikëpamja statistikore, përbën shkakun e parë të amputimit të gjymtyrëve të poshtëme me origjinë jo traumatike.
-
Ndërlikimet në shtatëzani: në gratë shtatëzana, diabeti mund të sjellë pasoja të padëshirueshme në mëlçi duke filluar që nga keq formimet e lindura, në një mbi peshë që në lindje e deri në një rrezik për vdekshmëri perinatale.
Faktorët e rrezikut
Ndërlikimet kronike të diabetit mund të parandalohen ose dhe mund të ngadalësohet përparimi i tij përmes një kontrolli të rreptë të të gjithë faktorëve rrezikues që lidhen me të.
-
Glicemia dhe hemoglobina e glukozuar (HbA1c). Janë kryer studime të rëndësishme klinike që kanë nxjerrë në pah rëndësinë e një kontrolli të mirë metabolik për të parandaluar lindjen e ndërlikimeve. Nivelet mesatare të glicemisë gjatë harkut ditor mund të vlerësohen nëpërmjet matjes së hemoglobinës së glukozuar (HbA1c). Hemoglobina e cila normalisht transportohet nga rruazat e kuqe, mund të lidhë glukozin në mënyrë proporcionale me sasinë e saj në gjak. Duke marrë në konsideratë faktin se jeta mesatare e rruazës së kuqe është tre muaj, sasia e hemoglobinës që lidhet me glukozin do të jetë proporcionale me sasinë e glukozit që qarkullon gjatë kësaj periudhe. Në këtë mënyrë, jemi në gjendje të bëjmë një vlerësim të glicemisë mesatare gjatë tre mujave. Në personat jo diabetikë, niveli i hemoglobinës së glukozuar qëndron në nivelet 4-7% çka do të thotë se vetëm 4-7% e hemoglobinës është e lidhur me glukozin. Në pacientin diabetik, në mënyrë që të konsiderohet si një “kontroll i mirë metabolik”, kjo vlerë duhet të mbahet brenda kufijve 7%.
-
Presioni i gjakut: Në pacientët diabetikë kemi një rrezikshmëri të shtuar të sëmundjes kardiovaskulare. Për rrjedhim, kontrolli i presionit të gjakut është veçanërisht i rëndësishëm, duke qenë se nivelet e rritura të presionit përbëjnë një faktor rrezikshmërie. Kontrolli i presionit të gjakut mund të parandalojë lindjen e patologjive kardiovaskulare (sëmundje kardiake dhe ikuts) dhe të patologjive që lidhen me mikroqarkullimin (sytë, veshkat dhe sistemi nervor).
-
Kontrolli i yndyrnave në gjak: Edhe dislipidemitë përfaqësojnë një faktor shtesë rreziku për patologjitë kardiovaskulare. Në fakt, një kontroll i përshtatëshëm i kolesterolit dhe i yndyrnave (HDL, LDL dhe Triglicerideve) mund të pakësojë lindjen e ndërlikimeve kardiovaskulare, në veçanti në pacientët që kanë patur edhe më parë një episod kardiovaskular.
Shpeshtësia e lartë e ndërlikimeve kardiovaskulare bën të detyrueshëm një mbikqyrje të rreptë të organeve që janë më të prekshëm (sytë, veshkat dhe gjymtyrët e poshtëme). Për këtë qëllim, edhe në mungesë të simptomave, është e nevojëshme që personat me diabet t’u nënshtrohen vizitave periodike të kontrollit.
Ndërhyrjet terapeutike
Mjekimi i sëmundjes diabetike ka si pikë kryesore krijimin e një stili të përshtatëshëm jetese. Me stil jetese nënkuptohen zakonet e yshqyerjes, veprimtaria fizike dhe mos pirja e duhanit.
Dieta e pacientit me diabet (e përcaktuar në SH.B.A.: Medical Nutrition Therapy – Terapia Mjekësore e Ushqyerjes) ka si objektiv të zvogëlojë rrezikun e ndërlikimeve nga diabeti dhe të sëmundjeve kardiovaskulare nëpërmjet mbajtjes së vlerave të glukozit dhe të yndyrnave plazmatike, si dhe të niveleve të presionit arterial mundësisht sa më afër atyre normale.
Në vija të përgjithëshme, rekomandohet që dieta të përfshijë karbohidrate të siguruara prej frutave, perimeve, drithërave, bishtajoreve dhe qumështit të skremuar, në një sasi jo më pak se 130 gram në ditë, por duke kontrolluar që ato të merren në mënyrë të ekuilibruar, përmes matjes së tyre dhe përdorimit alternativ. Të shmanget përdorimi i sakarozit, që mund të zëvendësohet me ëmbëlsuesit. Ashtu si për të gjithë popullsinë në përgjithësi, rekomandohet që të konsumohen ushqime që përmbajnë fibra. Përsa u përket yndyrnave, është e rëndësishme të kufizojmë marrjen e tyre nën 7% të kalorive të përgjithëshme ditore, duke kufizuar në veçanti yndyrnat e ngopura dhe kolesterolin.
Për të përmirësuar kontrollin e glicemisë dhe për të ruajtur peshën trupore, është e rekomandueshme një veprimtari fizike e tipit aerobik në një masë të moderuar për të paktën 150 minuta në javë ose edhe e tipit më intensiv për 90 minuta në javë. Kjo veprimtari duhet të kryhet të paktën tre herë në javë, duke mos qëndruar më shumë se dy ditë rresht pushim. Ashtu si dhe për të gjithë popullsinë në përgjithësi, këshillohet që të mos pihet duhan. Në këtë kuadër, duhet të parashikohet edhe një formë përkrahje për ndalimin e pirjes së duhanit, si pjesë përbërëse e trajtimit diabetik.
Diabetikët e tipit 1 e kanë të nevojëshme të rregullojnë në mënyrë më të rreptë terapinë me insulinë, dietën ushqimore dhe veprimtarinë fizike, ndërkohë që për diabetikët e tipit 2, të cilët përgjithësisht janë mbi peshë, apo e thënë më thjeshtë, paraqiten të dhjamosur, respektimi i një stili të përshtatëshëm jetese, që të përfshijë pakësimin e marrjes së kalorive, veçanërisht të yndyrnave dhe rritja e veprimtarisë fizike për të përmirësuar gliceminë, dislipideminë dhe nivelet e presionit arterial, merr një rëndësi edhe më të madhe.